Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se tarifa e paralajmëruar për automjetet që hyjnë në kryeqytet nga komunat e tjera ende nuk është e planifikuar apo e vendosur, por po shqyrtohet si mundësi në rast se, siç tha ai, fondet e BERZH-it vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga qeveria.
Në një postim në Facebook, Rama tha se kjo alternativë po diskutohet në kuadër të nevojës për financim të projekteve infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit.
“NËSE QEVERIA I ZHBLLLOKON FONDET E BERZH-IT PËR NDËRTIMIN E UNAZËS SË KRYEQYTETIT, NUK DO TË KETË TARIFA PËR ASKËND!”, ka shkruar Rama.
Ai shtoi se “është propozuar që tarifa të jetë 1 ose 2 euro për automjetet që nuk janë të regjistruara në Komunën e Prishtinës, ndërsa deri në 10 euro për kamionët e mëdhenj që hyjnë në qendër të Prishtinës”.
Sipas tij, kjo është vetëm një ide për diskutim publik dhe jo një vendim i marrë.
“Para së gjithash, dua të jem shumë i qartë: kjo është një ide për diskutim publik dhe jo një vendim i marrë!”, ka shkruar Rama, duke theksuar se qytetarët janë të lirë të kontribuojnë me ide dhe sugjerime.
Ai ka sqaruar se arsyeja e shqyrtimit të kësaj mundësie lidhet me nevojën për investime të mëdha në infrastrukturë.
“Arsyeja pse po e shqyrtojmë këtë mundësi është e thjeshtë: Prishtina ka nevojë urgjente për investime të mëdha infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit, një projekt që do të zvogëlonte kolonat, do të lehtësonte qarkullimin, do të reduktonte ndotjen dhe do të përmirësonte cilësinë e jetës për të gjithë”, ka deklaruar ai.
Rama ka theksuar gjithashtu se paketa financiare për Unazën e Kryeqytetit arrin rreth 206 milionë euro, nga të cilat deri në 40 për qind janë grant, që sipas tij nuk do të ktheheshin nga qytetarët.
Ai ka shtuar se këto fonde janë të bllokuara dhe se kjo po e vështirëson realizimin e projektit.
“Prandaj, para se të flasim për tarifa apo alternativa të tjera, është e rëndësishme që qytetarët ta dinë se ekziston një zgjidhje shumë e thjeshtë: zhbllokimi i fondeve të BERZH-it dhe lejimi i realizimit të projektit të Unazës së Qytetit”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, “nëse qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për ndërtimin e Unazës së Qytetit, nuk do të ketë tarifa për askënd”.
Ai ka ftuar qytetarët, ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile që të marrin pjesë në diskutimin publik për këtë çështje.