Studentët e Kosovës kanë bërë thirrje për protestë paqësore në mbrojtje të gjuhës shqipe, duke reaguar ndaj, siç thonë ata, cenimit të së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në provimet e tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut.
Në një njoftim të Këshillit Studentor të Fakultetit të Filologjisë, studentët u kanë bërë thirrje studentëve, qytetarëve, profesorëve dhe të gjithë atyre që besojnë në drejtësi që t’i bashkohen protestës para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë.
Njoftimi i plotë:
THIRRJE PËR PROTESTË
Studentët e Kosovës në mbrojtje të gjuhës shqipe
Të nderuar studentë, qytetarë, profesorë dhe të gjithë ata që besojnë në drejtësi,
Ne, studentët e Kosovës, ju ftojmë t’i bashkoheni protestës paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, për të ngritur zërin kundër cenimit të së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në të gjitha provimet e tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut.
Gjuha shqipe nuk është privilegj.
Ajo është e drejtë e qindra mijëra shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ne besojmë se arsimi, profesioni dhe e ardhmja e të rinjve nuk duhet të pengohen nga barriera gjuhësore të vendosura padrejtësisht. Prandaj, ftojmë të gjithë studentët, organizatat studentore, shoqërinë civile dhe qytetarët që të bashkohen me ne.
5 Qershor,
Para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë,
Ora: 14:00