Protestuesit janë ulur para derës së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku po presin vendimin e Qeverisë lidhur me kërkesat e tyre, për dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Ata kanë vendosur të qëndrojnë para hyrjes së objektit, në pritje të një përgjigjeje nga institucionet.
Ndërsa, brenda Qeverisë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla po mbajnë konferencë lidhur me raportin nga vrasja e Arlinda Zekajt.
Ndryshe, dje protestuesit kishin kërkuar shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgosjen e Kryeprokurores së rastit Lumturie Vuqetaj.

“Kërkojmë shkarkimin, ndjekje penale dhe burgosjen e Kryeprokurores së rastit Lumturie Vuqetaj. Kërkojmë shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgosjen e prokurores së rastit Suada Rama Hamza. Kërkojmë shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgosjen të kryetarit të Gjykatësës Shemsedin Haxhiaj. Kërkojmë shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgosjen e gjykatësit Migjen Kastratit. Kërkojmë shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgosjen, të u.d drejtoreshës së GJKS Shpresa Lukaj. Kërkojmë dorëheqjen e Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit. Kërkojmë shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgosjen e gjykatësit, e policit të lodhur, Farukut. Kërkojmë dorëheqjen e ministres së drejtësisë Donika Gërvalla. Kërkojmë dorëheqjen e ministrit të punëve të brendshme Xhelal Sveçlës. Kërkesat tona të qarta, s’duam suspendime, duam shkarkime, burgosje e ndjekje penale”, është thënë dje nga organizatorët.
Në konferencën e sotme për media, ministrat Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla, kanë thënë se nuk do të japin dorëheqje.