Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin e vrasjes në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku të dielën mbrëma mbeti i vrarë një person i lindur në vitin 1997.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi se policia ka pranuar informacionin për të shtëna me armë zjarri rreth orës 19:30, më 11 tetor 2026.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe Prokurori i Shtetit”, ka njoftuar Osmani.
Sipas informatave fillestare, viktima është e gjinisë mashkullore, ndërsa vdekjen e tij në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Ndërkohë, një person i dyshuar, mashkull kosovar dhe i njohur për Policinë, është vënë në kërkim, pasi dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së veprës.
Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore, është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. /Insajderi.org/