Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar tri vrejtjet e tij karshi aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kurti, para së gjithash, bëri të ditur se janë në pritje të një opinioni ligjor nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave lidhur me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, shkruan Insajderi.
I pari i ekzekutivit tha se vërejtja e tij e parë për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është nocioni “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, për të cilën tha se duhet të korrigjohet në Gjykatën e Apelit.
Kurti më tej tha se vërejtja e dytë e tij është qasja mono-etnike e Gjykatës si dhe mungesa e transparencës në gjykim.
“Ju e dini që zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, si i mbijetuar i Masakrës së Dubravës ka bërë një kallëzim penal në Dhomat e Specializuara, në mënyrë që ta trajtojnë edhe çështjen e Masakrës së Dubravës. Që nga prilli i vitit 2023, pra tri vjet e gjysmë, s’ka marrë asnjë përgjigje. Ky është karakteri mono-etnik bashkë me mungesën e transparencës”, deklaroi Kurti.
Kryeministri më tej tha se e treta është pasaktësia historike dhe faktike është vërejtja e tij e tretë karshi aktgjykimit që u dha nga kryetari i panelit të gjyqtarëve, Charles Smith.
“I treti natyrisht janë ato pasaktësitë faktike dhe historike që u gjykuan më 16 shtator. Le të mos harrojmë se atë ditë janë lexuar dhjetëra faqe, por vendimi i plotë është mijëra faqe. Ndoshta është lexuar një përqindje një-shifrore e vendimit të përgjithshëm dhe është çështje javësh kur do të dalë verdikti i plotë dhe unë dyshoj që ndokush edhe prej ekipeve të mbrojtjes që ka arritur ta lexojë në plotni dhe saktësi të gjithë verdiktin”, deklaroi ai.
Kësisoj, Kurti tha se karshi Apelit Kosova duhet t’i unifikojë qëndrimet edhe me Shqipërinë.
“Në mbrojtjen që duhet t’ua bëjmë si shtet dhe si shoqëri, por unë do të thosha edhe si Shqipëri, sepse ju e dini se gjenocidi i Serbisë në Kosovë nuk ka ndodhur pse thjesht jemi të Kosovës, por për shkak se jemi shqiptarë. Ju e patë se në aktgjykim u përmendën 14 komuna të Kosovës, por edhe dy në Shqipëri. Prandaj duhet të jemi bashkë, jo vetëm spektri politik në Kosovë, bashkë si shoqëri padyshim por edhe bashkë me Shqipërinë”, tha Kurti. /Insajderi.org/