Gjykata ka lënë në burg Eraldo Fizin, ish-bashkëshortin e 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila humbi jetën në mars të këtij viti. Ai dyshohet për “shkaktim të vetëvrasjes” dhe dhunë fizike ndaj ish-partneres.
Fizi do të qëndrojë në burg, pasi gjykata caktoi masën e sigurisë ndaj tij në çështjen që lidhet me vdekjen e ish-bashkëshortes.
Vendimi për masën e sigurisë u mor nga gjyqtarja Matilda Fetahu.
“E kam rrahur vetëm njëherë, një ditë para ngjarjes dhe jo sistematikisht”.- ka thënë ai para Gjykatës.
Fizi u arrestua pas më shumë se gjashtë muajsh në kërkim. Ai ishte shpallur në kërkim që në mars, ndërsa dorëzimi u realizua pas bashkëpunimit mes autoriteteve të Tiranës dhe Lezhës dhe kontakteve me familjarët dhe avokatin e tij.
Xhuana Nikollaj, me origjinë nga Shëngjini, jetonte në Tiranë pas ndarjes nga bashkëshorti. Sipas hetimeve, Fizi ishte kthyer nga jashtë Shqipërisë më 9 mars dhe dyshohet se kishte shkuar në banesën e saj.
Një ditë më vonë, më 10 mars, 25-vjeçarja konsumoi fostoksinë dhe më pas humbi jetën në spital.
Hetuesit dyshojnë se Nikollaj ishte dhunuar fizikisht përpara ngjarjes. Në trupin e saj u raportuan shenja dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah. Në banesë u gjet gjithashtu një letër që e reja u kishte lënë prindërve.
Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi ishin martuar në vitin 2025. Martesa e tyre kishte zgjatur rreth tre muaj përpara ndarjes.