Zbulimi i varrit masiv në Zubin Potok -Kryeprokurori Isufaj: Identifikimi i trupave kërkon kohë

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka vizituar fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku të martën u zbulua një varr masiv ku dyshohet se prehen trupat e 23 intelektualëve të Mitrovicës, të cilët u vranë gjatë luftës në Kosovë.

Në një prononcim për mediat, Isufaj konfirmoi se gërmimet kanë nisur dhe se tashmë është vërtetuar se mbetjet mortore të gjetura janë me origjinë njerëzore.

Ai shfrytëzoi rastin të falënderonte Policinë e Kosovës për punën e madhe që po bën, si dhe kolegët e tij të Prokurorisë Speciale, stafin dhe ekipin e Mjekësisë Ligjore për punën shumë të mirë e profesionale në identifikimin e mbetjeve.

Kryeprokurori shtoi se gërmimi i varrit masiv mund të zgjasë dhe se nuk mund të bëhet e ditur se kur do të përfundojë si proces.

Ai nëgjyroi se identifikimi kërkon kohë dhe standarde të larta për të realizuar identifikimin përmes ADN-së për secilin trup.

Po ashtu, ai sqaroi se mbetjet nuk mund të tërhiqen aq lehtë nga terreni sepse duhet paraprakisht të konstruktohet trupi i njeriut, e vetëm më pas të dërgohen në Mjekësinë Ligjore për të vazhduar me proceset e tjera. Në fund, Isufaj bëri thirrje që lidhur me këtë rast të mos ketë shumë deklarime, pasi ato mund të dëmtojnë dhe të devijojnë procesin.

Leave a Comment