Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Mbledhja pritet të mbahet sot, më 29 tetor 2026, duke filluar nga ora 13:00.
Kjo mbledhje vjen pas reagimeve të shumta publike dhe kërkesave për përgjegjësi institucionale lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor, pavarësisht se më herët kishte kërkuar ndihmë nga institucionet.
Burime të Sinjalit kanë treguar se do të trajtohet raporti i ZKSh-së lidhur me vlerësimin e veprimeve te ndërmarra nga organet përgjegjëse.
Arlinda Zekaj kishte paraqitur shqetësimet e saj pranë institucioneve kompetente, ndërsa dokumentet e publikuara pas vrasjes kanë nxitur debat mbi mënyrën se si janë trajtuar denoncimet dhe kërkesat e saj.

Një nga çështjet që ka nxitur reagime është edhe koha e dorëzimit të aktakuzës ndaj ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj.
Sipas sqarimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykata Themelore në Pejë e kishte pranuar aktakuzën më 26 tetor 2026, në orën 08:56, një ditë pas vrasjes së Arlindës.
Kjo ka ngritur pyetje nëse aktakuza ishte përgatitur përpara vrasjes apo ishte përfunduar dhe dorëzuar vetëm pas ngjarjes tragjike.
Ndërkohë, për vrasjen e Arlinda Zekajt është arrestuar kunati i saj, Albert Sylaj, i cili dyshohet se e goditi për vdekje me sëpatë.
Mbetet të shihet nëse mbledhja e jashtëzakonshme e KPK-së do të rezultojë me vendime konkrete për shqyrtimin e veprimeve institucionale në këtë rast.