Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, Valon Murseli, ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për neglizhencë ndaj rajonit të Drenicës, duke thënë se “faktet flasin vetë”.
Sipas Murselit, tri vite më parë, kur Drenica u përball me vërshime të mëdha, Qeveria nuk dërgoi as njësitë e FSK-së për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
Ai ka deklaruar se ekzekutivi nuk mbështeti financiarisht familjet dhe bizneset e dëmtuara nga përmbytjet, ndërsa përmendi edhe mungesën e investimeve në projekte infrastrukturore dhe furnizim me ujë të pijshëm.
Murseli ka kritikuar refuzimin e mbështetjes për projektin e ujësjellësit Shipol–Brus–Mitrovicë, me vlerë rreth 4.87 milionë euro, projekt që sipas tij do të siguronte ujë të pijshëm për zonën e Drenicës.
Tutje, ai ka përmendur edhe mosrealizimin e punimeve në rrugën Komoran–Drenas, si dhe gjendjen e rëndë të rrugës rajonale Skenderaj–Klinë e Begut, për të cilën tha se paraqet rrezik për qytetarët dhe automjetet.
“Qeveria aktuale është kundër Drenicës dhe jo vetëm kundër Sami Lushtakut”, ka deklaruar Murseli.