Xhudisti kosovar Shpati Zekaj ka fituar medaljen e bronztë në Kupën Botërore të xhudos që po mbahet në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës.
Federata e Xhudos së Kosovës njoftoi se Zekaj e nisi garën me fitore ndaj rusit Denis Bakanov, të cilin e mposhti me dy Waza-ari. Në çerekfinale ai u ndal nga bullgari Boris Georgiev, duke pësuar humbje me Yuko.
Në repasazh, Zekaj triumfoi ndaj një garuesi nga Serbia, i cili u diskualifikua pasi mori tri dënime.
Në luftën për medaljen e bronztë, xhudisti kosovar dominoi ndaj gjermanit Pierre Ederer, duke e mposhtur me Ippon dhe duke siguruar medaljen e bronztë për Kosovën.
Federata e Xhudos e Kosovës e ka uruar Zekajn për suksesin e arritur, duke shprehur krenarinë për paraqitjen e tij në Sarajevë. /Insajderi.org/