Rrustemi: Politika e Kurtit po e ndryshon edhe PDK-në, arrestimet e serbëve për krime lufte do të vazhdojnë

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se politikat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, sipas tij, po ndikojnë edhe në ndryshimin e qëndrimeve të PDK-së.

Rrustemi ka pretenduar se më herët zyrtarë të PDK-së kërkonin faljen dhe amnistimin e krimeve të luftës, ndërsa tani, sipas tij, kjo parti po kërkon që të vazhdojnë arrestimet e serbëve të dyshuar për krime lufte.

“Politika e Albinit për ta shtri sovranitetin në veri, po e përmirëson edhe PDK-në. Dikur zyrtarë të PDK-së thonin se për krime lufte Serbia duhet të falet e amnistohet, kurse tash po thonë se arrestimet e serbëve për krime lufte duhet të vazhdojnë”, ka thënë Rrustemi.

Ai ka shtuar se arrestimet duhet të vazhdojnë dhe se, sipas tij, ato kanë nisur gjatë qeverisjes së Kurtit.

“Natyrisht se duhet të vazhdojnë, e për të vazhduar duhej të nisnin. Me Qeverinë Kurti edhe kanë filluar edhe do të vazhdojnë”, është shprehur ai.

Leave a Comment