Nesër, në Asamblenë e Kryeqytetit, do të votohet një prej vendimeve më të rëndësishme për Prishtinën – themelimi i Kompanisë Komunale “Pastrimi”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se gjendja me mbeturinat në kryeqytet nuk mund të vazhdojë kështu, duke theksuar se Prishtina është rritur dhe nevojat e saj janë shumëfishuar, ndërsa sistemi aktual nuk po arrin t’u përgjigjet kërkesave të qytetit.
“Gjendja me mbeturina nuk mund të vazhdojë kështu! Prishtina është rritur, nevojat janë shumëfishuar, ndërsa sistemi aktual nuk po arrin t’u përgjigjet nevojave të Kryeqytetit”, ka thënë Rama.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë asambleistëve që ta votojnë themelimin e Kompanisë Komunale “Pastrimi”, duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“I ftoj të gjithë asamblistët, e në veçanti asamblistët e Vetëvendosjes VOTOJENI NESËR THEMELIMIN E KOMPANISË KOMUNALE “PASTRIMI”. Qytetarët ju kanë votuar me marrë vendime që ua zgjidhin problemet. Bërllogu është në lagjet ku jetoni edhe ju, në rrugët ku kalojnë fëmijët tuaj, në qytetin ku jetojnë familjet tuaja! Nëse vendosni me penalizu vetvetën për politikë, atëherë kjo kalon çdo logjikë. Propozimi është gati. Zgjidhja është gati. Votojeni!”, ka thënë Rama.