Prokuroria kërkon 6 vite burgim për Thaçin për pengim të drejtësisë

Pas paraqitjes së të gjitha provave dhe fakteve për të cilat pretendon se i ka dëshmuar gjatë procesit, Prokuroria ka kërkuar dënime me burgim për të akuzuarit në rastin e ndërhyrjes në drejtësi.

Për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim, ndërsa për Hajredin Kuçin nëntë muaj burgim. Për Isni Kilajn, Bashkim Smakajn dhe Sabit Januzajn, Prokuroria ka kërkuar nga tre vjet burgim.

“Bazuar në të gjitha provat dhe faktet, Prokuroria kërkon nga trupi gjykues të marrë një vendim në përputhje me ligjin, provat dhe faktet e paraqitura gjatë këtij procesi. Kërkojmë që të akuzuarit të shpallen fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës, duke marrë parasysh peshën e veprave penale dhe tërësinë e faktorëve relevantë për caktimin e dënimit”, ka deklaruar Prokuroria.

Sipas ZPS-së, dënimet e kërkuara janë në përputhje me rëndësinë e veprave për të cilat, sipas saj, të akuzuarit janë gjetur përgjegjës përtej dyshimit të arsyeshëm.

Prokuroria ka theksuar se veprat e pretenduara përbëjnë kërcënim serioz për administrimin e drejtë të drejtësisë, veçanërisht duke pasur parasysh historinë e frikësimit dhe ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve në Kosovë.

“Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor përpara kësaj gjykate, e cila ekziston në Hagë pikërisht për shkak të historisë së gjerë të frikësimit dhe ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve në Kosovë, paraqet një kërcënim për administrimin e drejtë dhe të lirë të drejtësisë”, ka thënë Prokuroria.

Leave a Comment