Petrit Hajdari largohet nga drejtimi i PDK-së në Drenas: Po e liroj degën me mbi 18 mijë vota

Petrit Hajdari ka njoftuar se është larguar nga drejtimi i Degës së PDK-së në Drenas, pas kërkesës së kryetarit të partisë, Bedri Hamza.

Përmes një reagimi publik, Hajdari ka thënë se vendimin e ka marrë duke mos dashur t’u bëhet pengesë proceseve të nevojshme brenda partisë, ndërsa ka theksuar se angazhimin e tij do ta vazhdojë në kryesinë qendrore të PDK-së.

Ai ka vlerësuar lart rezultatin e Degës së PDK-së në Drenas në zgjedhjet e fundit nacionale, duke thënë se kjo degë doli më e fuqishmja në nivel vendi.

“E lë degën me mbi 18 mijë vota dhe me krenarinë e performancës në zgjedhjet më të vështira nacionale ndonjëherë”, ka shkruar Hajdari.

Në mesazhin e tij, ai ka falënderuar ish-kryetarin Memli Krasniqi për besimin dhe bashkëpunimin, ndërsa kryetarit aktual Bedri Hamza i ka uruar suksese në zgjedhjet e ardhshme.

Hajdari ka shprehur mirënjohje edhe për strukturat e degës, asamblistët, shtabin zgjedhor dhe kandidatët për deputetë nga Drenasi për angazhimin në zgjedhje.

Në fund, ai ka bërë thirrje që drejtimin e degës ta marrë “një figurë e pakorruptuar, përbashkuese dhe jopërçarëse”, duke shtuar se Drenasit i nevojitet unifikim.

“Pozitat nuk kanë qenë kurrë thelbi i rrugës sime; thelbi ka qenë gjithmonë e mira e vendit”, ka deklaruar ai.

Leave a Comment