Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do t’i drejtohet sot Gjykatës Kushtetuese, ku pritet të kërkojë sqarime lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës.
PDK ka njoftuar se në orën 09:00, para objektit të Gjykatës Kushtetuese, do të mbahet konferencë për media. Në këtë konferencë do të marrin pjesë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.
Sipas njoftimit të partisë, gjatë konferencës do të bëhen të ditura detajet lidhur me lëndën që PDK-ja do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë ditës së djeshme, nga PDK-ja u bë e ditur se kjo parti do t’i drejtohet Kushtetueses jo vetëm për çështjen e konstituimit të Kuvendit, por edhe lidhur me formimin e Qeverisë Kurti 4, e cila u votua dje me 62 vota për.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës votoi paraprakisht edhe për tre nënkryetarë: Kujtim Shalën nga LDK-ja, Emilija Rexhepin nga komunitetet joshumicë dhe Tanja Vujoviqin nga komuniteti serb, e cila vjen nga Lista Serbe.
Pas votimit të nënkryetarëve, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në mungesë të përfaqësuesit të PDK-së, e konsideroi Kuvendin të konstituuar.
Tashmë, vëmendja është përqendruar te Gjykata Kushtetuese, ku pritet të paraqiten kërkesat e PDK-së lidhur me zhvillimet e fundit institucionale.