“Nuk munda me e pa nënën”: Rina Balaj reagon e mërzitur për vrasjen e 25-vjeçares nga Malisheva

Këngëtarja Rina Balaj ka reaguar përmes disa postimeve në Instagram pas protestës së mbajtur për 25-vjeçaren Jetlira Foniqi, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj.

Personi që ishte identifikuar si i dyshuari kryesor në këtë rast ndërroi jetë më 27 gusht, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes vazhdojnë të jenë objekt hetimi nga autoritetet.

“Pamja e nënës së saj ma këputi shpirtin”, ka shkruar Rina.

Në reagimin e saj, Balaj u ndal veçanërisht te nëna e Jetlirës, e cila ishte e pranishme në protestën ku kërkohej drejtësi për vajzën e saj.

Këngëtarja tha se ishte prekur thellë nga pamjet, duke e përshkruar atë si një nënë të thyer nga humbja dhe të detyruar të dilte në rrugë për të kërkuar drejtësi për fëmijën e saj.

Sipas Balajt, Jetlira duhej të ishte ende gjallë dhe të përgatitej për një kapitull të ri të jetës së saj, pasi priste të bëhej nënë.

Ajo theksoi se është e vështirë të gjenden fjalë për dhimbjen e një prindi që humb fëmijën, veçanërisht në rrethana të tilla.

Balaj shprehu solidaritet me familjen dhe shpresën që rasti të trajtohet me drejtësi dhe të mos harrohet.

Në një postim tjetër, Rina iu përgjigj edhe pyetjeve se përse nuk ishte e pranishme fizikisht në protestë.

Ajo sqaroi se, sipas saj, përkrahja dhe dhimbja nuk duhet domosdoshmërisht të dëshmohen përmes pranisë publike apo fotografive.

Këngëtarja tha se është e vetëdijshme se prania e një personazhi publik në një ngjarje të tillë mund të marrë vëmendje të padëshiruar dhe të zhvendosë fokusin nga arsyeja për të cilën njerëzit janë mbledhur.

Sipas saj, mund të krijohen situata ku njerëzit afrohen për fotografi apo krijohet tollovi, duke dhënë përshtypjen e gabuar se një figurë publike është aty për vëmendje.

Leave a Comment