Nga foto romantike te “unfollow” brenda një ore -Brikena dhe Mateo surprizojnë me ndarjen e papritur

Kur u duk se gjithçka po shkonte në mënyrën më të mirë mes Mateos dhe Brikenës, një tjetër dramë e papritur ka shpërthyer mbrëmjen e sotme.

Pa u mbushur ende një orë nga publikimi i një fotografie romantike në çift, e realizuar në ambientet e “Top Arena”, duket se gjithçka mes tyre është përmbysur sërish brenda pak minutash.

Përveç zhdukjes së fotografive të përbashkëta, dyshja ka ndërmarrë edhe hapin tjetër, duke hequr njëri-tjetrin nga lista e ndjekësve në Instagram.

Ky veprim erdhi si një surprizë për ndjekësit, megjithatë reagime të tilla impulsive në rrjetet sociale, sa herë që lind një mosmarrëveshje apo hatërmbetje e vogël, shpesh perceptohen si të nxituara dhe fëmijërore.

Në fakt, e gjithë kjo histori që përsëritet vazhdimisht ka nisur të lodhë edhe fansat e çiftit, të cilët kanë ndjekur me vëmendje ulje-ngritjet e marrëdhënies së tyre. Luhatjet e shpeshta dhe “inatet” virtuale po ia zbehin interesin kësaj historie, duke bërë që edhe ndjekësit më besnikë të reagojnë me indiferencë.

Tashmë mbetet të shihet nëse kjo është ndarja përfundimtare mes Brikenës dhe Mateos, apo nëse, si edhe herët e tjera, nesër do të shfaqen sërish një “follow” i ri dhe një fotografi romantike.

Deri në lëvizjen e tyre të radhës, një gjë mbetet e sigurt: profilet e Brikenës dhe Mateos vazhdojnë të mos gjejnë qetësi.

Leave a Comment