Kombëtarja e Kosovës e ka siguruar një tjetër top-mesfushor nga Zvicra. Pas Leon Avdullahut, “Dardanët” e bindën edhe mesfushorin Dion Kacuri.
Telegrafi raportoi se përzgjedhësi Franco Foda e ka ftuar Kacurin për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve, me Kosovën që do të përballet dy herë me Austrinë dhe nga një herë me Irlandën dhe Izraelin.
Por, kush është Dion Kacuri? Mesfushori i gjatë prej 1.92 metra ka përfaqësuar Zvicrën në grupmoshat U18, U19, U20 si dhe ishte kapiten te U21.
Ai luan në pozitën e qendërmesfushorit, por shpesh përdoret edhe si mesfushor me tipare defansive, si dhe ka luajtur edhe në pozitën e numrit 10.
Kacuri vitet e fundit ka vuajtur me disa lëndime, sidoqoftë nga mediat zvicerane gjithnjë ka qenë tepër i vlerësuar. Faktikisht, deri vonë ai është krahasuar me Granit Xhakën, ku në bazë të mënyrës dhe vizionit të lojës, atë e shihnin si pasuesi adekuat i yllit të Sunderlandit.

18 paraqitje për Zvicrën, por ëndërr Kosovën
Edhe pse është paraqitur plot 18 herë në grupmoshat e reja të Zvicrës, ëndrra e mesfushorit Kacuri gjithnjë ka qenë Kosova.
Faktikisht, ai e tha këtë gjë publikisht vetëm disa javë më parë për “Sky Sport Austria”, ku konfirmoi se “një ftesë nga Kosova do të ishte ëndërr e bërë realitet”.
Që kur u huazua te Austria Lustenau, Kacuri ka arritur të shënojë një gol në gjashtë paraqitje.
Kombëtarja e Kosovës që kur erdhi Franco Foda e ka përforcuar dukshëm pikën që deri vonë ishte më e dobëta, pra mesfushën. Më e bukura se tërë lojtarët erdhën nga Kombëtarja e Zvicrës.
Fillimisht e nisi Leon Avdullahu, këtë qershor e bindën Valmir Matoshin, ndërsa tani Kacuri.