Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka deklaruar se partia e saj është rikthyer në tryezën e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje (VV), duke vendosur një kauzë më të madhe mbi interesat partiake.
Në emisionin “Shoqet”, të transmetuar mbrëmë, Musliu ka theksuar se PDK-ja nuk ka pasur kërkesa për poste politike apo për pjesëmarrje në qeveri, por vetëm një kërkesë që ajo e ka cilësuar si thelbësore: procedimin e ligjit për Specialen.
“Partia Demokratike e Kosovës ka dalë mbi interesat partiake, për shkak të një kauze shumë më të madhe se PDK-ja dhe secila parti tjetër në Kosovë, dhe jemi kthyer në tryezën e bisedimeve”, ka deklaruar Musliu.
Ajo ka shtuar se partia e saj nuk ka kërkuar që dikush të bëhet president dhe as të jetë pjesë e qeverisë, duke theksuar se kërkesa e vetme ka qenë procedimi i ligjit.
Musliu ka folur edhe për presidenten Justina Shiroka-Pula, së cilës ia ka uruar mandatin, duke shprehur besim të plotë në vendimmarrjen e saj.
Deputetja e PDK-së ka treguar se Shiroka-Pulën e njeh prej 17 vitesh, që nga koha kur ajo ushtronte detyrën e ministres, ndërsa Musliu ishte kandidate për asamble komunale.