Kriza institucionale që ka pasuar zgjedhjet parlamentare vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha politike në vend, ndërsa përpjekjet për të gjetur një formulë që do të mundësonte konstituimin e institucioneve ende nuk kanë prodhuar rezultat konkret. Në qendër të vëmendjes janë kontaktet dhe bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, dy subjekte që konsiderohen si aktorë kyç në çdo skenar të mundshëm për tejkalimin e ngërçit politik.
Deklaratat e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kanë rikthyer në fokus këto negociata, duke lënë të kuptohet se dialogu mes palëve nuk është ndërprerë plotësisht. Sipas saj, gjatë takimeve janë shqyrtuar disa alternativa për daljen nga kriza, megjithatë ende nuk është arritur një dakordim për formimin e institucioneve të reja. Këto deklarata kanë nxitur interpretime të ndryshme në opinionin publik dhe në skenën politike, duke ngritur dilema nëse ekziston ende vullnet politik për kompromis apo nëse dallimet mes palëve vazhdojnë të mbeten pengesa kryesore për arritjen e një marrëveshjeje.
Në një kohë kur vendi vazhdon të funksionojë pa institucione të reja të konsoliduara, çdo sinjal që vjen nga tavolina e bisedimeve shihet si me rëndësi për zhvillimet e ardhshme politike. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kontaktet e deritanishme do të shndërrohen në një marrëveshje konkrete apo do të mbeten vetëm përpjekje pa rezultat, duke e zgjatur edhe më tej bllokadën institucionale.
A tregojnë deklaratat e Albulena Haxhiut se ende ekziston hapësirë për një marrëveshje politike mes LVV-së dhe LDK-së, apo palët tashmë janë larg një kompromisi?
Halili: Vazhdimi i dialogut mes partive është zhvillim pozitiv
Në lidhje me këtë temë për “Bota sot” ka folur profesori Nijazi Halili, i cili u shpreh se, deklaratat e fundit të Haxhiut kanë dhënë sinjal se ekziston vullnet për një marrëveshje të mundshme mes dy partive në fjalë.
“Deklarata e Albulena Haxhiut sugjerojnë se procesi i negociatave ndërmjet LVV-së dhe LDK-së nuk ka përfunduar, por njëkohësisht tregojnë se ende nuk është arritur faza ku mund të flitet për një kompromis politik të konsoliduar. Fakti që janë diskutuar alternativa të ndryshme është një tregues se ekziston vullnet për të mbajtur të hapur komunikimin, por mungesa e një marrëveshjeje konkrete nënkupton se çështjet kyçe vazhdojnë të ndajnë palët”.
Sipas Halilit, është zhvillim pozitiv fakti që partitë po vazhdojnë dialogun për të gjet një rrugëdalje nga sitauta e krijuar, pasi sipas tij thellimi i mëtejmë i bllokadave do t’i shkaktonte dëme shtetit dhe funksionimit të institucioneve.
Për këtë, ai pret që akterët politikë të negociojnë në vazhdimësi dhe të ndërtojnë një formulë për një marrëveshje që i përshtatet palëve.
“Në situata të tilla, deklaratat publike shpesh kanë edhe funksion negociues. Ato synojnë të mbajnë gjallë perceptimin se dialogu vazhdon, duke shmangur përshtypjen e dështimit përfundimtar të bisedimeve. Për këtë arsye, nuk duhet interpretuar automatikisht se afrimi i palëve është i afërt, por as se negociatat kanë hyrë në një rrugë pa dalje.
Në aspektin institucional, vazhdimi i dialogut është zhvillim pozitiv, pasi alternativa është thellimi i bllokadës politike dhe zgjatja e krizës së funksionimit të institucioneve. Megjithatë, zhbllokimi nuk do të vijë vetëm si rezultat i takimeve, por nga gatishmëria e aktorëve politikë për të rishikuar vijat e tyre të kuqe dhe për të ndërtuar një formulë që u mundëson të dyja palëve ta paraqesin marrëveshjen si politikisht të pranueshme”, theksoi ai.
Ndër të tjera, profesori potencoi se një marrëveshje LVV-LDK nuk është e pashmangshme, por që ajo do të varet nga aftësia e palëve për të negociuar.
“Sa i përket javëve në vijim, nuk do të ishte befasuese nëse negociatat vazhdojnë edhe për një periudhë, pasi presioni politik dhe institucional për konstituimin e plotë të institucioneve po rritet. Megjithatë, një marrëveshje nuk është e pashmangshme. Ajo do të varet nga aftësia e palëve për ta shndërruar interesin e përbashkët për tejkalimin e krizës në një kompromis konkret politik. Deri atëherë, deklaratat e liderëve duhen parë më shumë si sinjale se dera e negociatave mbetet e hapur, sesa si tregues se marrëveshja është tashmë pranë” përmbylli Nijazi Halili për “Bota sot”.
Haziri: E vetmja formulë për t’i evituar zgjedhjet dhe për të pasur institucione funksionale është që z. Kurti dhe LVV-ja të heqin dorë nga posti i Presidentit
Kurse, analisti tjetër Nexhat Haziri u shpreh pesimist se mund të ketë një marrëveshje mes LVV-së e LDK-së, pavarësisht deklaratave të Haxhiut.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se, këtë e bazon në zhvillimet e brendshme politike në LDK dhe qasjen e LVV-së dhe ofertave të saj ndaj partive.
“Përkundër deklaratës së znj. Haxhiu, si ushtruese e detyrës së Presidentes së vendit, nuk jam fare optimist se do të mund të kemi një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së për një koalicion të mundshëm. Dhe kjo jo vetëm për shkak të situatës së brendshme politike në LDK, ku pritet një votëbesim ndaj kryetarit aktual, Abdixhiku, por edhe për shkak të një sjelljeje jo serioze nga vetë LVV-ja, e cila ka të bëjë me ofertën ndaj partive opozitare”.
Madje, Haziri mes tjerash vlerësoi se një koalicion LDK-LVV nuk garanton se mund të ketë zhbllokim të kësaj bllokade.
Sipas tij, mënyra e vetme që të ketë sukses kjo marrëveshje dhe të formohen institucionet e reja, është që LVV të heq dorë nga posti i presidentit.
“Edhe në rastin më të mirë, që LVV-ja të arrijë koalicion me LDK-në, sërish ky koalicion nuk garanton se mund të kemi institucione të reja dhe dalje nga kriza, e cila sërish mund të na dërgojë në zgjedhje të reja.
E vetmja formulë për t’i evituar zgjedhjet dhe për të pasur institucione funksionale është që z. Kurti dhe LVV-ja të heqin dorë nga posti i Presidentit dhe, si kompromis, ky post t’i takojë opozitës. Në të kundërtën, duhet të bëhemi gati për zgjedhje të reja”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.