“Më tha që quhej Berti”- Ishte në veturë me Ergys Agasin, zbardhet dëshmia e ish-drejtorit të policisë

Detaje të reja kanë dalë nga dosja që çoi në caktimin e masës “Arrest në burg” për ish-drejtorin e Policisë së Elbasanit, Uljan Shpataraku, në automjetin e të cilit u gjet biznesmeni Ergys Agasi.

Gjatë marrjes në pyetje, Shpataraku ka pretenduar se nuk e njihte Agasin dhe se e kishte marrë rastësisht në makinë në rrugën e vjetër të Elbasanit, pasi ai i kishte bërë shenjë për autostop.

“Shpjegoi se gjatë rrugës kishte zhvilluar bisedë me Agasin dhe se ky i fundit i kishte thënë se quhej Berti dhe merrej me dyer alumini. Deklaroi se në atë moment nuk e kishte ditur se bëhej fjalë për Ergys Agasin”, thuhet në dosje.

I pyetur se si nuk e kishte njohur, Shpataraku deklaroi:

“Si mund ta njihja unë z. Agasi që ishte në kërkim kur z. Agasi ishte kur hipi në makinën time me mjekër, me kapele, me shapka.”

Por të dhënat e vëzhgimit të policisë, sipas dosjes, paraqesin një tjetër dinamikë. Në orën 11:59, Audi A6 i drejtuar nga Shpataraku është parë duke hyrë në kompleksin e vilave në Durrës ku ishte lokalizuar Agasi.

Tre minuta më vonë, automjeti ka dalë nga parkimi nëntokësor me një person në sediljen e pasagjerit, i cili dyshohej se ishte Agasi. Makina është mbajtur nën vëzhgim dhe, kur u ndalua pranë Plepave, në të u konstatua Ergys Agasi.

Leave a Comment