“Jemi me ju, mos na dëmtoni!” – Mesazhi i bizneseve për protestuesit pas sulmeve në Tiranë

“Jemi me ju, mos na dëmtoni!”… ky është mesazhi i shkruar në letër dhe i ngjitur në vitrinat e disa bizneseve të vogla, në rrugët e kryeqytetit, kryesisht në zonën pranë Ministrisë së Arsimit, ku disa biznese u sulmuan dhe ju vu edhe zjarri në ditën e dytë të protestës.

Mesazhi u drejtohet protestuesve, të cilëve u shprehet mbështetja, por edhe u kërkohet t’i kursejnë nga sulmet dhe aktet e dhunës e vandalizmit, që u panë për rreth 12 orë në Tiranë.

Bizneset kërkojnë që prona private të ruhet, teksa mbështetja për kauzën e të rinjve nuk duhet të shoqërohet me dëmtime të aktiviteteve të tyre ekonomike.

Sakaq, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë u ka bërë thirrje bizneseve në vend që të solidarizohen me protestat dhe të mbyllin përkohësisht aktivitetin gjatë zhvillimit të tyre.

Në një deklaratë publike, shoqata e cilëson këtë mbështetje si të rëndësishme për interesat e sipërmarrjes, familjet dhe të ardhmen e fëmijëve, ndërsa u kërkon bizneseve të ndihmojnë protestuesit. Shoqata thekson se ka qenë vazhdimisht e pranishme në protesta, në koordinim me shoqërinë civile, për të denoncuar korrupsionin dhe ato që i cilëson si afera korruptive të qeverisë.

Në deklaratën e saj, ajo u bën apel sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm që të vijojnë mbështetjen ndaj protestave që po zhvillohen në vend, duke e lidhur këtë qëndrim me interesat e tyre ekonomike dhe sociale.

“Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm e Shqipërisë ju bën thirrje të gjitha bizneseve të vogla dhe të mesme të vazhdojnë solidarizimin e protestave që zhvillohen në Shqipëri, sepse është në të mirën e tyre, në të mirën e bizneseve të tyre dhe për të ardhmen e fëmijëve dhe të familjeve të tyre”, thuhet në deklaratë.

Shoqata u kërkon gjithashtu bizneseve të mbështesin protestuesit në forma të ndryshme, duke e konsideruar mbylljen e përkohshme të aktivitetit një shenjë solidariteti.

“Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjitha bizneseve shqiptare të mbështesin protestat, të ndihmojnë me çdo formë protestuesit dhe, në shenjë solidarizimi, të ulin qepenat e bizneseve në orët kur zhvillohet protesta”, theksohet në deklaratë.

Sipas shoqatës, kjo masë mund të shërbejë jo vetëm si mbështetje për protestuesit, por edhe si një mënyrë për të kufizuar dëmet e mundshme ndaj bizneseve gjatë tubimeve.

“Ulja e qepenave është dhe një masë e mirë për të mbrojtur bizneset nga dëmet dhe dëmtimet që ndodhin në protesta”, thuhet më tej në deklaratë.

Thirrja e shoqatës vjen në një kohë kur protestat janë shtrirë në disa qytete të vendit dhe janë shoqëruar me tensione e incidente, përfshirë dëmtime të pronës publike dhe private.

Leave a Comment