Janina Ymeri kërkon Komision Hetimor për energjinë: Të mos presim nga Kurti si kukull e kësaj korporate miliardëshe

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka bërë thirrje për krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për tregtinë e energjisë elektrike, duke pretenduar se ndikimi i asaj që e quan “mafia energjetike” ka depërtuar edhe në institucionet e drejtësisë.

Ymeri ka thënë se nuk pret që kryeministri Albin Kurti të ndërmarrë hapa për këtë çështje, ndërsa ka shprehur dyshime edhe për mënyrën se si Prokuroria Speciale dhe institucionet e tjera janë marrë me rastet që lidhen me tregun e energjisë, shkruan Insajderi.

Ajo e ka lidhur këtë shqetësim me shqyrtimin e kërkesave për rilicencim të kompanive që, sipas saj, janë aktualisht nën hetim.

“Dëshminë e kemi edhe dje kur hynë në rend dite për rilicencim kompani aktualisht nën hetim. Pritej të rilicencoheshin nga kush? Nga organi hetues”, ka shkruar Ymeri.

Deputetja e LDK-së ka thënë se këto zhvillime, sipas saj, tregojnë për ndikimin e madh të asaj që e quan “mafia energjetike”, ndërsa ka kërkuar që Kuvendi të marrë përgjegjësi për hetimin parlamentar të kësaj çështjeje.

“Këtë e them nga ana profesionale, jo politike”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se tregtia e energjisë po rëndon xhepin e qytetarëve dhe po e dobëson ekonominë.

Ymeri u është drejtuar deputetëve që, sipas saj, kundërshtojnë këtë dukuri, duke kërkuar bashkimin e tyre për themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar.

“Në këtë terren dukshëm të kapur, forma e vetme e çlirimit të qytetarëve të Kosovës nga kjo fajde pa fund, është Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo.

Leave a Comment