Gjendet i vdekur 46-vjeçari pas disa orësh kërkime në Rahovicë, policia zbulon detajet e rastit

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për Insajderin se trupi i pajetë i një 46-vjeçari është gjetur pas disa orësh kërkime.

Veseli ka bërë të ditur se në operacionin e kërkimit dhe gjetjes së tij janë përfshirë njësitë përkatëse policore dhe ekipet e kërkim-shpëtimit.

Sipas tij, rasti është raportuar sonte në mbrëmje nga familjarët e viktimës, të cilët kanë njoftuar se ai ishte larguar nga shtëpia dhe se nuk kishin arritur të kontaktonin me të.

Gjatë kërkimeve në zonën e Parkut të Pishave, në fshatin Rahovicë të Ferizajt, është gjetur vetura e tij e markës “Skoda”, me targa të huaja.

“Për shkak të rrethanave të rastit, në kërkim janë angazhuar njësitë relevante policore, përfshirë njësinë K9 dhe Shoqatën për Kërkim dhe Shpëtim të Kosovës”, deklaroi Veseli.

Pas disa orësh kërkimesh, është gjetur një trup i pajetë, për të cilin dyshohet se i përket personit të raportuar të zhdukur.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e emergjencës dhe njësitë përkatëse policore. Rrethanat e rastit janë duke u hetuar, ndërsa informacione të tjera pritet të bëhen të ditura përmes raportit vijues të Policisë”, ka deklaruar Veseli.

Rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti mbeten nën hetim, ndërsa detaje të tjera pritet të publikohen nga Policia e Kosovës në raportin e radhës.

Leave a Comment