Në një tjetër postim, Shoshana përshkruante se si babai i saj e “shiste” në Tel Aviv që nga mosha 13 vjeç, duke fituar para prej saj, dhe se abuzimi vazhdoi edhe më vonë.
Në janar, ajo foli edhe për “terapinë e konvertimit” dhe ritualet e tjera të dhunshme që thoshte se kishte përjetuar gjatë rritjes.
“Në ditët e fundit, kujtimet e kësaj terapie dhe të kultit sadik ku jam rritur më rikthehen vazhdimisht”, shkroi ajo, duke shtuar se përjetonte shpesh rikthime të traumës dhe ankth të madh nga ndarja e historisë së saj.
Policia raportohet se nuk ka mundur të verifikojë pretendimet e Shoshanës për abuzimin seksual, ndërsa detajet e hetimit mbeten të paqarta.
Organizatat e grave në vend i kanë bërë thirrje qeverisë që të kryejë një hetim më të gjerë, duke theksuar se policia nuk e ka mbrojtur siç duhej dhe se Shoshana nuk ka marrë mbështetjen e duhur. Bonot Alternativa, një organizatë për gratë, kërkoi që shteti të veprojë: “Detyra e shtetit tani është e qartë: të hetojë, të shqyrtojë dhe të zbulojë të vërtetën”.
Në kujtim të Shoshanës u mbajt një protestë e heshtur në Sheshin Zion në qendër të Jeruzalemit. Organizatorët paralajmëruan se do të kërkojnë “ndryshime reale dhe drejtësi për të dhe për të gjithë ne”. Pjesëmarrësit mbajtën pankarta me mbishkrimin: “Ne të besojmë, Shoshana.”
Lexo gjithashtu: Fermerët grekë paralajmërojnë bllokim të përgjithshëm të Greqisë
Shoqja e Shoshanës, Yael Shitrit, e cila gjithashtu ka deklaruar se ka qenë viktimë e abuzimeve rituale seksuale, kërkoi që të bëhet më shumë.
“Biseduam me të atë mëngjes. Ajo nuk donte të vdiste. Donte një shtëpi dhe siguri. Nëse ky komb nuk zgjohet, ne jemi të radhës”, tha ajo.
Pas njoftimit për vdekjen e Shoshanës, Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministrat shprehën ngushëllime për Strock dhe familjen e saj. Zyra e kryeministrit tha se ai kishte biseduar me Strock dhe “mori me hidhërim të thellë” lajmin për vdekjen e vajzës së saj.
