E quajti “vrasës”, Rama paralajmëron padi ndaj Krasniqit: Ju jeni fatkeqësia e këtij vendi

Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar ndaj deklaratave të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, njëhersh burri i ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i cili e ka quajtur Ramën “vrasës”.

Në një reagim publik, Rama tha se “gjuha e urrejtjes dhe linçimit nuk e ndryshon ligjin” dhe akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim të një diskursi të tillë politik, duke përmendur rastin tragjik të vdekjes së 26-vjeçarit dje në Prishtinë, transmeton Klankosova.tv.

“Duke mos i njohur as kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale, po tentohet t’i faturohen Kryeqytetit përgjegjësi që sipas ligjit u takojnë institucioneve të nivelit qendror”, ka deklaruar Rama.

Ai theksoi se, sipas legjislacionit në fuqi, verifikimi teknik i vinçave, inspektimi i pajisjeve dhe mbikëqyrja e masave të sigurisë në punë janë kompetencë ekskluzive e Inspektoratit Qendror të Punës, ndërsa Inspektorati i Kryeqytetit ushtron kompetenca vetëm në zbatimin e kushteve të lejes së ndërtimit dhe legjislacionit përkatës.

“Çdo përpjekje për t’ia faturuar Kryeqytetit dhe mua përgjegjësitë që ligji ua ngarkon institucioneve të nivelit qendror tregon se, përveç dashakeqësisë, jeni edhe të padijshëm!”, ka shkruar ai,

Rama bëri të ditur se Inspektorati i Kryeqytetit do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Qendror të Punës dhe institucionet e tjera për zbardhjen e plotë të rastit.

Ai gjithashtu njoftoi se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Alban Krasniqit.

“Alban Krasniqi do të paditet për shpifje”, deklaroi Rama.

Në fund të reagimit, kryetari i Prishtinës kritikoi ashpër qeverisjen e Vetëvendosjes, duke e akuzuar për mungesë të investimeve kapitale, intimidim të kundërshtarëve politikë dhe përkeqësim të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

“Po e ripërsëris: ju jeni fatkeqësia e këtij vendi”, ka përfunduar Rama në reagimin e tij.

Leave a Comment