Vrasja e 20-vjeçarit shqiptar në Suedi ka tronditur familjen. I riu u privua nga jeta me thikë pas një përleshje në qendër të Kristianstad, fundjavën që shkoi.
Tre persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast tragjik tashmë janë arrestuar dhe dyshimet e para lidhen me një konflikt mes familjeve të viktimës dhe njërit prej të dyshuarve – të dyja shqiptare, që daton nga viti 2011.
Klankosova.tv ka kontaktuar Policinë Suedeze në këtë rajon, për të marrë informacione të reja, por zyrtari për komunikim nuk e ka dhënë asnjë detaj meqë hetimi po vazhdon.
Megjithatë, Klani ka arritur ta konfirmojë se viktima që u vra të shtunën që lamë pas është Elion Veseli, me prejardhje nga Mitrovica.
Për vdekjen e tij akoma s’kanë njoftuar të afërmit dhe nuk dihet nëse do t’i jepet lamtumira e fundit në Kosovë.
Sipas informacioneve që dihen deri më tash, konflikti mes dy familjeve ka nisur në vitin 2011 gjatë një turneu futbolli për fëmijë, kur një përplasje mes dy djemve 12-vjeçarë çoi në tensione dhe përleshje mes prindërve.
Që nga ajo kohë, raportimet thonë se mosmarrëveshjet mes familjeve kanë vazhduar ndër vite, me incidente të herëpashershme.
Viktima që humbi jetën të shtunën është vëllai i njërit prej djemve të përfshirë në konfliktin fillestar të vitit 2011, ndërsa një nga të arrestuarit dyshohet të jetë pjesëtar i familjes tjetër të përfshirë në atë ngjarje.