Deliu: U dakorduam që të martën KPK-ja të raportonte në Kuvend për letrat e Arlindës, akoma nuk na kanë dërguar ftesë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka kërkuar përgjegjësi urgjente nga Këshilli Prokurorial lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë, duke akuzuar për bllokim të llogaridhënies institucionale.

Përmes një reagimi, Deliu shprehu shqetësimin për dështimin e raportimit të KPK-së para Komisionit për Legjislacion. Sipas saj, me gjithë dakordimin paraprak që Këshilli të raportonte këtë të martë, Komisioni nuk ka dërguar as ftesën zyrtare, duke pezulluar kështu mbledhjen e paraparë.

Ky është postimi i saj i plotë:

Në cilën derë tjetër duhej të trokiste Arlinda që sot të mos dëgjonim arsyetime se kujt nuk i paska kërkuar ndihmë?

Sipas raportimeve, kërkesat e saj u ishin drejtuar edhe Këshillit Prokurorial.

Që të hënën u dakorduam që KPK-ja të ftohej të martën në Komisionin për Legjislacion. As ftesë, as mbledhje!

Pse po vonohet llogaridhënia?

Këshilli Prokurorial duhet të raportojnë urgjentisht, me dokumente dhe përgjigje për çdo veprim e mosveprim. Arlinda kërkoi mbrojtje nga shteti. Familja e saj meriton ta dijë çfarë bëri shteti për të.

Leave a Comment