Dalin para Apelit Manxhuka dhe të tjerët, akuzohen për nxitje të përçarjes

Avokati Taulant Hodaj ka përfaqësuar sot Arlind Manxhukën në Gjykatën e Apelit, ku pritet të shqyrtohet çështja që lidhet me një koment të publikuar në Facebook, me të cilin Manxhuka kishte kritikuar një vendim gjyqësor.

Hodaj ka thënë se çështja kryesore në këtë rast është nëse komentet kritike ndaj vendimeve gjyqësore, të bëra në kuadër të një debati me interes publik, përbëjnë vepër penale apo hyjnë në kuadër të lirisë së shprehjes.

Sipas tij, komenti “Për kë punon kjo Gjykatë!?” nuk duhet të jetë arsye për shqiptimin e një dënimi me më shumë se një vit e gjysmë burgim efektiv.

Hodaj ka shpjeguar se komenti ishte bërë në rrethana të veçanta, kur në veri të Kosovës kishte vështirësi serioze në zbatimin e urdhrave gjyqësorë dhe në arrestimin e personave të dyshuar për vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Ai ka thënë se reagimi i Manxhukës ishte drejtuar ndaj një vendimi të bërë publik, përmes të cilit një i dyshuar, Dejan Pantić, ishte liruar nga paraburgimi pas dy deri në tri ditësh, ndonëse, sipas Hodajt, ai ishte në arrati për vepra të rënda penale.

“Edhe kur kritika mund të jetë thumbuese, ajo nuk duhet të kriminalizohet. Mospajtimi i Gjykatës dhe Prokurorisë me një koment, sado i tepruar të duket, nuk është vetvetiu përgjegjësi penale”, ka deklaruar Hodaj.

Avokati ka shprehur besimin se Gjykata e Apelit do ta korrigjojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe do të zbatojë standardet për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, veçanërisht të lirisë së shprehjes.

Leave a Comment