Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka deklaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi jo vetëm për mbajtjen e seancës konstituive më 6 gusht, por edhe për rendin e ditës së kësaj seance.
I ftuar në emisionin “FIVE” në Dukagjin, Cakolli ka thënë se Gjykata Kushtetuese tashmë e ka ngritur në nivel kushtetues edhe çështjen e rendit të ditës, duke e bërë të qartë mënyrën se si duhet të zhvillohet seanca.
“Në fakt tashmë Gjykata Kushtetuese e ka ngritur në nivel kushtetues edhe rendin e ditës. Tashmë është e qartë se seanca më 6 gusht është e qartë, edhe rendi i ditës paralelisht me krijimin e atij komisionit për verifikimin e mandateve, i cili ndonëse mund të ketë çështje që mund të ngrihen në kuadër të tij, për shkak se në kuptim kushtetues ndodhemi në situatën e ngjashme siç kemi qenë në shkurt të vitit 2025, ku kemi një kryeministër në detyrë dhe ministra në detyrë të cilët njëkohësisht janë certifikuar për të qenë deputetë dhe mbetet të shihet se si do të veprohet në këtë drejtim sa i përket çështjes së dhënies formale të dorëheqjes, sepse të njëjtit nuk mund të ushtrojnë dy mandate”, është shprehur Cakolli.
Sipas tij, paralelisht me zhvillimin e seancës do të krijohet edhe komisioni për verifikimin e mandateve, megjithëse në kuadër të këtij procesi mund të ngrihen çështje të caktuara që lidhen me statusin e kryeministrit dhe ministrave në detyrë.
Cakolli ka theksuar se situata aktuale është e ngjashme me atë të shkurtit të vitit 2025, pasi edhe tani ekziston një kryeministër në detyrë dhe ministra në detyrë, të cilët janë certifikuar njëkohësisht edhe si deputetë të Kuvendit të Kosovës.
“Situata në kuptim të ligjit për Qeverinë dhe ligjit për zgjedhjet, përkatësisht rregullores së punës së Kuvendit, është e qartë që ministrat që janë në detyrë, përkatësisht edhe kryeministri në detyrë, nuk mund të marrin mandatin e të qenit deputetë pa dhënë dorëheqje formale nga pozitat e tjera”, ka deklaruar Cakolli.