Burgimi i përjetshëm: A po e ndal krimin?

“Asnjë vendim gjyqësor në botë nuk e kthen në jetë Liridonën”…

Kjo fjali e thënë nga vëllai i saj, Leonard Ademaj, e vendos kufirin e drejtësisë: ajo mund të ndëshkojë, por nuk mund të rikthejë jetën.

Megjithatë, në një vend ku dhimbja për kohë të gjatë mbetet pa përgjigje, vendimi për burgim të përjetshëm për vrasësit e Liridona Ademajt shihet si një hap – i vogël, por i rëndësishëm – drejt një lloj drejtësie.

Mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në një rrugë të fshatit Bërnicë në Prishtinë, Liridona Ademaj u vra në praninë e dy fëmijëve të saj.

Rasti tronditi opinionin publik dhe u shndërrua në një simbol të dhunës ekstreme dhe të kërkesës për drejtësi.

Më 21 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë tre persona për këtë vrasje: bashkëshortin e saj, Naim Murseli, si dhe Granit Plavën e Kushtrim Kokallën.

Dy të parët u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa i treti me 30 vjet burgim.

“Sadopak ka lehtësuar dhimbjen e familjes”, thotë Ademaj për Radion Evropa e Lirë.

Por, ai e di se procesi nuk përfundon këtu. Mbrojtja ka paralajmëruar ankesë dhe rasti pritet të kalojë në Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme.

“Shpresojmë që edhe instancat më të larta ta konfirmojnë këtë vendim. Vetëm dënime të tilla mund të ndalin vrasjet e nënave dhe motrave tona”, thotë Ademaj.

Dënim i rëndë, por jo gjithmonë përfundimtar

Burgimi i përjetshëm është dënimi më i rëndë në sistemin penal të Kosovës.

Që nga hyrja në fuqi e Kodit Penal në vitin 2013, ai është shqiptuar në 13 raste.

Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, në shumicën dërrmuese – 12 prej tyre – bëhet fjalë për vrasje të rënda, ndërsa vetëm një rast lidhet me terrorizëm.

Ligji e parasheh këtë dënim për 36 vepra penale të kryera në rrethana rënduese, përfshirë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe tradhtinë ndaj shtetit.

Megjithatë, praktika tregon se rruga deri te një vendim përfundimtar është e gjatë dhe e pasigurt.

Dënimi i parë me burgim të përjetshëm, i shqiptuar në vitin 2015 për vrasje të rëndë, u zbut më pas nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme në 25, respektivisht 22 vjet burgim.

Sipas Flamur Kabashit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përdorimi i këtij dënimi është shtuar në vitet e fundit.

“Sipas monitorimeve tona, kohët e fundit kemi parë shtim të shqiptimeve me burgim të përjetshëm. Por, vendimet marrin formë të prerë vetëm kur konfirmohen nga shkalla e dytë”, thotë Kabashi për Radion Evropa e Lirë.

Leave a Comment