Bunkeri me municion në autostradë: Dogana parandalon kontrabandën e mijëra fishekëve

Zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, gjatë aktiviteteve të tyre operative për luftimin e kontrabandës dhe krimit ndërkufitar, kanë arritur të sekuestrojnë 2 mijë e 550 fishekë të kalibrit 9 milimetra.

Aksioni u zhvillua në rajonin e Prishtinës, ku zyrtarët ndaluan për kontroll doganor një automjet të dyshimtë në autostradën Trudë-Prishtinë.

Gjatë kontrollit fillestar, zyrtarët ngritën dyshime për ekzistimin e hapësirave të modifikuara në mjet, dhe pas një kontrolli të detajuar u zbuluan bunkerë të ndërtuar pas fabrikimit, ku edhe ishin fshehur fishekët.

Pas përfundimit të procedurave zyrtare, automjeti, municioni dhe personi i dyshuar janë dorëzuar te Policia e Kosovës, e cila tashmë ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Leave a Comment