Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka thënë se deklarata e miratuar nga Kuvendi Komunal i Plevles për “çnjohjen” e Kosovës nuk ka asnjë efekt juridik dhe mund të shihet vetëm si pjesë e debatit të përditshëm politik.
Çështja u ngrit pasi Ana Lacmanoviq, këshilltare e partisë “Nova Srpska Demokratija” (NSD) në Kuvendin Komunal të Plevles, e cila votoi për deklaratën që kundërshton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi, është autorizuar për të koordinuar përkohësisht punën e Njësisë Rajonale të Drejtorisë për Patundshmëri në Ulqin, raporton “Vijesti”.
Kjo ka shkaktuar reagime në Ulqin dhe u diskutua edhe në Parlamentin e Malit të Zi, ku deputeti i Aleancës Shqiptare, Ilir Çapuni, i kërkoi sqarime kryeministrit gjatë seancës së pyetjeve parlamentare.
“Si e komentoni faktin që funksionin e drejtueses së Njësisë Rajonale të Drejtorisë për Patundshmëri në Ulqin e ushtron një këshilltare e Kuvendit Komunal të Plevles, e cila ka votuar për deklaratën që kundërshton vendimin e Qeverisë së Malit të Zi të vitit 2008 për njohjen e pavarësisë së Kosovës?”, pyeti Çapuni.
Javën e kaluar, Kuvendi Komunal i Plevles, me propozim të “Partisë Demokratike Popullore” (DNP) të Millan Knezheviqit, miratoi “Deklaratën për mosnjohjen e vendimit për njohjen e pavarësisë” së Kosovës. Një deklaratë e ngjashme ishte miratuar më herët edhe nga Kuvendi Komunal i Zetës.
Çapuni kërkoi nga Spajiq të sqarojë nëse ushtrimi i një funksioni drejtues në administratën shtetërore, njëkohësisht me angazhim politik kundër politikës zyrtare të Malit të Zi, është në përputhje me parimet e neutralitetit politik dhe paanshmërisë së nëpunësve shtetërorë.
Ai kërkoi gjithashtu të dijë kush e ka propozuar dhe autorizuar Lacmanoviqin, mbi bazën e cilave kritere profesionale dhe nëse Qeveria do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtij autorizimi, konfliktin e mundshëm të funksioneve dhe arsyeshmërinë e vazhdimit të ushtrimit të detyrës së saj në Ulqin.
Në arsyetimin e pyetjes, Çapuni tha se çdo qytetar ka të drejtë të ketë bindjet e veta politike, por se një nëpunës shtetëror në pozitë drejtuese ka detyrimin të veprojë në mënyrë neutrale, të paanshme dhe në përputhje me interesin publik dhe politikën zyrtare të shtetit.