Arifi: S’kemi me leju Kurtin me na ngreh për hunde

Sekretari i Aleancës, Avni Arifi, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, duke folur për dinamikat politike pas zgjedhjeve dhe qëndrimin e Aleancës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Arifi tha se dinamikat politike duhet të përcaktohen nga partia që ka marrë më së shumti vota, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje.

“Dinamikat politike i përcakton partia që ka fituar më së shumti vota. Në këtë rast ne kemi një parti që ka pothuajse afër 50% të votave. Nuk mundet një parti me shtatë deputetë me i përcaktu dinamikat politike”, tha Arifi.

Ai u shpreh se Aleanca e kishte bërë ofertën e saj para zgjedhjeve dhe se, sipas tij, mospranimi i kërkesave të kësaj partie duhej të kuptohej si sinjal se vendi po shkonte drejt zgjedhjeve.

“Ne kemi bërë ofertë. Oferta jonë ka qenë shumë e lehtë dhe jo vetëm ne, por të gjithë u dashtë me e kuptu. Në momentin që nuk i ka akceptuar ato kërkesa të Aleancës, është dashur me e ditur Kosova që ky po na çon në zgjedhje”, u shpreh ai.

Arifi tha gjithashtu se Aleanca nuk do të lejojë, siç u shpreh ai, që të përdoret politikisht nga kryeministri Albin Kurti apo nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Kurrë s’kemi me lejuar me na ngre për hunde Albin Kurti, as Lëvizja Vetëvendosje në emër të asnjë vlere, sepse për vlerat që qëndron ky popull dhe ky shtet, dihet ku qëndrojmë ne dhe ku qëndron Kurti”, tha Arifi në “Rubikon”.

Leave a Comment