Një pacient 21-vjeçar, i cili javë më parë kishte rezultuar pozitiv me virusin e “Nilit Perëndimor” dhe po trajtohej në Klinikën Infektive, pas përsëritjes së analizave ka rezultuar negativ. Ndërkohë, sipas drejtoreshës së Klinikës Infektive, Kosova nuk rrezikohet nga përhapja e infeksionit.
Nga viti 2021 deri në vitin 2025, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në Kosovë janë regjistruar raste të pacientëve me këtë sëmundje.
Javë më parë, IKSHPK njoftoi se një qytetar kishte rezultuar pozitiv me virusin e “Nilit Perëndimor”.
Menjëherë pas rezultateve, 21-vjeçari u hospitalizua dhe u trajtua në Klinikën Infektive për më shumë se dy javë.
Pas shërimit të tij, nuk janë raportuar raste të reja.
Se a rrezikohet Kosova nga përhapja e kësaj sëmundjeje ka folur drejtoresha e Klinikës Infektive, Vera Berisha Ndrejaj.
“Ky virus bartet përmes mushkonjave dhe shpezëve ndërkohë që tek ne nuk është që është sëmundje endemike apo ndonjë epidemi eventualisht sepse edhe emri tregon që i përket pjesës afër lumit ‘Nil’ i cili edhe më pas izolohet në shtetet të cilat gjendjen për rreth lumit”, ka theksuar Vera Berisha Ndrejaj, drejtoreshë e Klinikës Infektive.
Në një përgjigje për televizionin Dukagjini, IKSHPK ka bërë të ditur historikun e rasteve të tilla gjatë viteve të fundit në Kosovë.
“Momentalisht nuk ka raste të tjera të dyshuara në Virusin e Nilit Perëndimor në Kosovë. Në Kosovë, gjatë pesë viteve të fundit (2021–2025), janë regjistruar gjithsej 9 raste të Virusit të Nilit Perëndimor: 7 raste gjatë vitit 2024 dhe nga një rast në vitet 2023 dhe 2025.”
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë rekomanduar kujdes të shtuar gjatë kësaj kohe dhe marrjen e masave që parandalojnë infektimin me “Nil”, i cili nuk përhapet nga njeriu në njeri, por nga pickimi i mushkonjave dhe shpezëve të infektuar.