Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk e sheh dorëheqjen e tij si zgjidhje pas vrasjes së Arlinda Zekajt dhe dështimeve institucionale të evidentuara në këtë rast, shkruan Insajderi.

Ai ka thënë se para dhjetë vjetësh kishte dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, ndonëse, sipas tij, nuk kishte pasur përgjegjësi për situatën e atëhershme.
Megjithatë, Sveçla ka thënë se këtë herë nuk beson se dorëheqja e tij do të kontribuonte në fuqizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave.

“Tash, unë nuk mendoj që dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas, në mbrojtjen e të drejtave të saj, meqenëse ne jemi të angazhuar 100 për qind në përmbushjen e detyrave tona në këtë pikë”, ka deklaruar Sveçla, përcjell Insajderi.
Ai ka thënë se e kupton indinjatën dhe mllefin e protestuesve që janë mbledhur para objektit të Qeverisë së Kosovës.
“T’ju them të drejtën, unë personalisht jam bashkë me protestuesit. E kuptoj indinjatën, mllefin e protestuesve dhe po punojmë si institucione që t’i plotësojmë të gjitha ato kërkesa që kërkohen sipas ligjit, në mënyrë që të parandalojmë përsëritjen e rasteve të tilla, por në të njëjtën kohë edhe të hetojmë e të vlerësojmë rastet paraprake për lëshime potenciale përgjatë gjithë historisë sonë”, ka thënë ai.