“U bë pazar i ulët”, Daut Haradinaj: Projektligji për Specialen nuk duhej të negociohej, ishte çështje kombëtare

Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kaluar në dy leximet e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.

Kalimi i tij erdhi pas marrëveshjes mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për emrin e propozuar për postin e presidentit, Justina Shiroka-Pula.

Lidhur me këtë zhvillim ka folur Daut Haradinaj, anëtar i Kryesisë së Aleancës, në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës. Ai ka vlerësuar se negocimi për ndryshimin e Ligjit për Specialen nuk është dashur të ndodhte, pasi, sipas tij, bëhej fjalë për një çështje kombëtare.

“Shteti ynë asnjë veprim nuk e ka bërë, përpos atyre marrëveshjeve të errëta që i kam quajt unë dy javë para se me ardhë deri te data kritike e 6 tetorit, në një farë forme e nxorën një lajm, dalja nga kriza institucionale, zgjedhja e presidentes”.

Haradinaj ka kritikuar atë që e ka cilësuar si qëllim dhe rezultat të errët të këtyre zhvillimeve, duke theksuar se protesta nuk ishte organizuar për të negociuar me Qeverinë lidhur me ndryshimin e Ligjit për Specialen.

“Qëllimi i errët, dhe produkti i errët, sepse ne nuk kemi kërkuar negocim në rrugë. Protesta jonë nuk ka qenë negocim me qeverinë për rishikimin e Ligjit për Specialen”.

Ai ka përmendur edhe veprimet e përfaqësuesve politikë, duke thënë se ato nuk përputheshin me deklaratat e tyre.

“Me gjithë respektin për zotëri Hamzën, veprimet nuk kanë qenë ato që i kanë deklaruar. E ndalën protestën për shkak të një lajthitjeje skandaloze që ndodhi nëpërmjet ligjeve”, ka deklaruar Haradinaj.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës ka theksuar se qëllimi i protestës nuk kishte të bënte me zgjedhjen e presidentit të Kosovës, por me kundërshtimin e dënimeve ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ne nuk kemi dalë për president, por kundër dënimit të krerëve të UÇK-së. Unë nuk jam PDK, kam qenë qytetar i pakënaqur me atë vendim. S’kemi dalë me përkrahë kauzën e një subjekti politik. U bë pazar i ulët. Është keqpërdorim i fatkeqësisë së njerëzve”, është shprehur ai.

Haradinaj ka ritheksuar se projektligji që lidhet me Dhomat e Specializuara në Hagë nuk është dashur të bëhej pjesë e negociatave politike.

“Ai projektligj ka qenë për Dhomat e Specializuara në Hagë. Aty nuk ka pasur të drejtë askush të negociojë. Përgjegjësi e zotëri Kurtit, edhe e Abdixhikut, edhe e Gjinit, edhe e Hamzës, ka qenë në aspektin kombëtar, jo me hy në negociata”, ka deklaruar ish-deputeti i Aleancës në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës.

Leave a Comment