Gazetarja, Anita Muçaj i ka reaguar deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, lidhur me deklaratën e saj se “është përfolur se Ramush Haradinaj ushtron dhunë ndaj gruas së tij Anita Muçaj”.

Muçaj i ka cilësuar serioze këto deklarata, duke kërkuar që ato të trajtohen me përgjegjësi.
Ajo i ka kërkuar publikisht deputetes Fejza që ta tërheqë deklaratën, të distancohet prej saj dhe të kërkojë falje publike, në të kundërtën ka paralajmëruar se do t’i ndjekë rrugët ligjore.

Në reagimin e saj, Muçaj ka theksuar se përgjegjësia për fjalën në jetën publike është po aq e rëndësishme sa edhe e drejta për ta shprehur atë.
Si gazetare dhe si person që për shumë vite ka qenë pjesë e jetës publike, ajo ka thënë se e njeh dallimin ndërmjet debatit politik, mendimit të lirë dhe deklaratave që mund të cenojnë padrejtësisht dinjitetin dhe reputacionin e një personi.
“Askush, pavarësisht pozitës politike që mban, nuk duhet ta konsiderojë veten mbi standardet e përgjegjësisë publike”, ka shkruar Muçaj.
Ajo ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend ta kthejë çështjen në një përplasje personale apo në një debat të panevojshëm politik, por ka theksuar se nuk dëshiron të heshtë përballë deklaratave që, sipas saj, cenojnë figurën dhe reputacionin e saj.
Muçaj ka shtuar se, kur deklaratat përfshijnë apo prekin figurën dhe familjen, ajo ka të drejtë të kërkojë respektimin e fakteve dhe që çdo pretendim të mbështetet në prova, e jo në insinuata apo akuza të pabazuara.
Ajo i ka kërkuar deputetes Fejza që ta tërheqë deklaratën, të distancohet dhe të kërkojë falje publike për atë që e cilëson shpifje dhe akuza të pabazuara, të cilat, sipas saj, rezultojnë të pavërteta dhe cenojnë të drejtat e tyre.
Gazetarja ka paralajmëruar se, në mungesë të një reagimi të përshtatshëm, të kërkimfaljes publike dhe të distancimit nga deklarata e bërë në një televizion kombëtar, do t’ua besojë organeve kompetente vlerësimin e çështjes dhe do të ndjekë rrugët ligjore që i takojnë.
“Dinjteti nuk negociohet. Reputacioni nuk duhet të bëhet viktima e interesave politike. Dhe përgjegjësia për fjalën publike nuk është privilegj, por detyrim”, ka përfunduar Muçaj në reagimin e saj.
Postimi i plotë i Anita Muçajt:
SHPIFJET NUK KALOJNË!
Në jetën publike, përgjegjësia për fjalën është po aq e rëndësishme sa e drejta për ta thënë atë!
Si gazetare dhe si person që për shumë vite kam qenë pjesë e jetës publike, e di mirë dallimin ndërmjet debatit politik, mendimit të lirë dhe deklaratave që mund të cenojnë padrejtësisht dinjitetin dhe reputacionin e një personi.
Deklaratat e bëra nga deputetja Arjeta Fejza, të cilave u referohem në këtë reagim, i konsideroj serioze dhe kërkoj që ato të trajtohen me përgjegjësi! Askush, pavarësisht pozitës politike që mban, nuk duhet ta konsiderojë veten mbi standardet e përgjegjësisë publike.
Unë nuk kam ndërmend të hyj në një përplasje personale dhe as ta kthej këtë çështje në një debat të panevojshëm politik. Megjithatë, nuk dua të hesht përballë deklaratave që cenojnë figurën dhe reputacionin tim.
Po ashtu, kur deklaratat përfshijnë apo prekin figurën dhe familjen, kam të drejtë të kërkoj që faktet të respektohen dhe që çdo pretendim të mbështetet në prova, e jo në insinuata apo akuza të pabazuara.
Prandaj, të kërkoj publikisht, zonja “deputete”, që ta tërheqësh deklaratën, të distancohesh dhe të kërkosh falje publike për shpifjen dhe akuzat e pabazuara, sepse ato rezultojnë të pavërteta dhe cenojnë të drejtat tona!
Në mungesë të një reagimi të përshtatshëm, të një kërkimfaljeje publike dhe të distancimit tuaj nga ajo që ke deklaruar publikisht në një televizion kombëtar, unë obligohem dhe do t’ua besoj organeve kompetente vlerësimin e kësaj çështjeje, pra do t’i ndjek rrugët ligjore që më takojnë!
Dinjteti nuk negociohet. Reputacioni nuk duhet të bëhet viktima e interesave politike. Dhe përgjegjësia për fjalën publike nuk është privilegj, por detyrim.