Gjykata Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se Adonis Demiri, 27-vjeçari që u vra në fshatin Demiraj, ishte dënuar më parë për veprën penale të kanosjes ndaj të fejuarës së tij.
Sipas përgjigjes së gjykatës për Dukagjinin, Demiri ishte mbajtur për dy muaj në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë në prill të vitit 2026, pasi dyshohej se kishte përdorur kokainë.

Eksperti psikiatër i kishte rekomanduar gjykatës dërgimin e tij në këtë institut për shkak të varësisë nga substancat narkotike.
“I njëjti ka qëndruar nën masën e paraburgimit prej 2 (dy) muaj në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë, pasi që i njëjti dyshohet të ketë përdorur substanca narkotike të llojit kokainë. Eksperti psikiatër i ka rekomanduar gjykatës që i njëjti të dërgohet në këtë institut për shkak varësisë së substancave narkotike”.
Më 17 qershor 2026, Gjykata Themelore në Gjilan – Dega në Kamenicë, e kishte dënuar Demirin me gjashtë muaj burgim për veprën penale të kanosjes. Me pëlqimin e tij, dënimi ishte zëvendësuar me gjobë prej 1 mijë e 800 eurosh, të cilën ishte i obliguar ta paguante brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Gjykata ka bërë të ditur se e dëmtuara nuk i ishte bashkëngjitur ndjekjes penale dhe nuk kishte paraqitur kërkesë për kompensim të dëmit.
“Me datë 17.06.2026, Dega e Gjykatës Themelore në Kamenicë ka nxjerrë aktgjykim ndaj Adonis Demirit duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, në kuptim të nenit 44 të KPRK-së me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet në dënim me gjobë prej 1.800 Euro, të cilin dënim është i detyruar të paguaj në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Pala e dëmtuar E. K. nuk i është bashkëngjit ndjekjes penale dhe nuk ka parashtruar kërkesë pasurore juridike”.
Po ashtu, në bazë të dispozitave ligjore për kryerësit me çrregullime mendore, gjykata i kishte shqiptuar Demirit masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri.