Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kritikuar institucionet për mënyrën se si është trajtuar kërkesa e saj për ndihmë.

Osmani ka publikuar një fjali që Arlinda Zekaj e kishte shkruar në kërkim të ndihmës: “Për ju është rutinë, për mua është jetë…”.
Ajo e ka cilësuar këtë fjali si një aktakuzë ndaj sistemit që, sipas saj, kishte për detyrë ta mbronte gruan, por nuk arriti ta dëgjonte në kohë.

“Një grua dhe një nënë nuk duhet të ketë nevojë të lutet për të drejtën për të jetuar. Nuk duhet të ketë nevojë të përgjërohet që fëmijët e saj të jenë të sigurt”, ka shkruar Osmani.
Ish-presidentja ka kritikuar edhe vonesat e institucioneve, duke thënë se ato nuk duhet të presin deri në momentin kur është tepër vonë për të ndërhyrë.
Në reagimin e saj, Osmani ka drejtuar kritika edhe ndaj sistemit gjyqësor, duke thënë se deri më tani nuk është marrë asnjë masë ndaj gjyqtarëve që, sipas saj, kanë treguar neglizhencë në këtë rast.
“Deri tani ka ndërmarrë ZERO masa ndaj gjyqtarëve që treguan neglizhencë”, ka shkruar ajo. /Insajderi.org/