Në Gjykatën e Apelit në Prishtinë po mbahet sot seanca e mbyllur për publikun në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku do të shqyrtohen ankesat e të dënuarve ndaj vendimit të Gjykatës Themelore.

Vendimin për mbylljen e seancës e ka kritikuar juristja e mediave, Flutura Kusari, e cila ka thënë se nuk ekziston asnjë arsye ligjore që shqyrtimi në Apel të mos jetë i hapur për publikun.
Kusari e ka cilësuar këtë vendim si shqetësues, duke thënë se Gjykata e Apelit ka pasur mundësinë të dëshmojë përkushtimin e saj në mbrojtjen e grave nga femicidi, sidomos pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

“Jam jashtëzakonisht e shqetësuar me vendimin e trupit gjykues që kjo seancë sot me u mbyllë. S’ka asnjë arsye ligjore që seanca e Apelit në rastin e Liridona Ademajt mos me qenë publike”, ka deklaruar ajo.
Sipas Kusarit, vendimi për ta mbajtur seancën të mbyllur nuk është arsyetuar, ndonëse, siç tha ajo, gjithçka që lidhet me këtë rast është publike.
“Ajo çka pamë sot është një vendim i paarsyetuar për ta mbyllë një seancë gjyqësore, edhe pse nuk ekzistojnë arsyet ligjore. Gjithçka rreth këtij rasti është publik”, u shpreh Kusari.
Ajo paralajmëroi se mungesa e transparencës mund ta dëmtojë besimin në Gjykatën e Apelit dhe të krijojë përshtypjen se rastet e femicidit nuk po trajtohen me transparencën e nevojshme.
Kusari kërkoi që proceset gjyqësore në raste të tilla të zhvillohen në mënyrë transparente, në përputhje me rëndësinë publike që kanë.