Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara pritet të mblidhet sot në orën 21:00, për të shqyrtuar raportin gjashtëmujor të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Raporti përfshin periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator të këtij viti, ndërsa mbledhja e fundit në të cilën ishte shqyrtuar raporti për Kosovën ishte mbajtur më 9 prill.
Sipas raportit, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë ka mbetur stabile. Megjithatë, në dokument theksohet se bllokada institucionale ka vazhduar, ndërsa përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit ka mbetur i kufizuar.

Raporti trajton gjithashtu zhvillimet në fushën e drejtësisë, përfshirë arrestimin e disa personave serbë të dyshuar për krime lufte, si dhe dënimin e tre personave për sulmin terrorist në Banjskë.
Një tjetër çështje e përfshirë në dokument është mbyllja e institucioneve paralele serbe që kanë funksionuar ilegalisht në Kosovë.
Po ashtu, raporti përmend njoftimin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) për tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër, si dhe përfshirjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në masat e sigurisë pranë Manastirit të Deçanit.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së pritet të shërbejë si mundësi për shqyrtimin e zhvillimeve politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës së përfshirë në raport.