OVL-UÇK për protestat në Tiranë: Flamuri i UÇK-së nuk duhet të keqpërdoret për akte vandalizmi

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka dënuar çdo keqpërdorim të flamurit me simbolin e UÇK-së gjatë protestave në Tiranë, duke i cilësuar veprimet e tilla si akte vandalizmi.

Në reagimin e saj, organizata thekson se flamuri i UÇK-së nuk mund të përdoret për të justifikuar asnjë lloj veprimi që bie ndesh me vlerat që përfaqëson ky simbol.

“Ky simbol përfaqëson Luftën Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët e kombit dhe lirinë e fituar nga kjo sakrificë. Si i tillë, kurrë nuk mund të përdoret për të justifikuar, identifikuar apo fshehur veprime që dëmtojnë pronën publike apo private”, thuhet në reagim.

OVL-ja e UÇK-së u ka bërë thirrje protestuesve në Tiranë që ta ruajnë identitetin e shenjtë të simbolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Çdo qytetar ka të drejtën e protestës, por asnjë pakënaqësi, sado e thellë të jetë, nuk i jep të drejtë askujt ta lidhë flamurin e UÇK-së me dhunën, shkatërrimin dhe plaçkitjet. U bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave, të ruajnë dinjitetin dhe shenjtërinë e këtij simboli”, thuhet në reagimin e organizatës.

Leave a Comment