Deputetja socialiste Iris Luarasi ka reaguar pas publikimit dhe shpërndarjes së videove intime ku shfaqen disa personazhe të njohur.
Përmes një postimi në Facebook, Luarasi ka dënuar publikimin dhe shpërndarjen e pamjeve private, duke thënë se përgjegjësia nuk duhet t’u faturohet grave që shfaqen në to.
“Turpi nuk u përket grave. U përket atyre që cenojnë privatësinë e tyre dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me ‘share’, klikime e tallje”, ka shkruar ajo.
Luarasi ka kërkuar që të hetohet se si janë realizuar videot, kush i ka përdorur dhe kush i ka shpërndarë.
Ajo ka përshëndetur gjithashtu hetimet e nisura nga Policia dhe Prokuroria, si dhe reagimin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për ndalimin dhe heqjen e materialeve.
Sipas saj, shpërndarja e pamjeve intime nuk mund të konsiderohet gazetari.
“Ata që e paraqesin jetën intime të dikujt si ‘lajm’ për klikime dhe fitim nuk po bëjnë gazetari. Gazetaria informon, verifikon dhe respekton dinjitetin e njeriut”, ka deklaruar Luarasi.
Në fund, ajo ka kërkuar që të merret parasysh edhe ndikimi që publikimi i këtyre pamjeve mund të ketë te familjarët dhe fëmijët e personave të përfshirë.