Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas protestës së zhvilluar sonte në Gjakovë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke veçuar pjesëmarrjen e Ferdonije Qerkezit.
Rama ka kujtuar tragjedinë familjare të Nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës në Kosovë humbi bashkëshortin dhe katër djemtë e saj, shkruan Insajderi.
“Në një ditë të vetme, forcat serbe ia vranë burrin dhe katër djemtë. Djalin më të vogël e kishte vetëm 14 vjeç. E lanë vetëm. Ia shuan pragun e derës, por nuk arritën t’ia shuajnë zërin”, ka shkruar Rama
Sipas kryetarit të Prishtinës, dalja e Ferdonije Qerkezit në protestë është më shumë se një protestë.
“Dhe kur, pas gjithë kësaj tragjedie, Ferdonije Qerkezi gjen forcën të dalë sonte në rrugë kundër padrejtësisë, kjo nuk është vetëm protestë. Është akt politik dhe moral që na vendos të gjithëve përballë përgjegjësisë sonë”, ka deklaruar ai.
Rama ka thënë se ajo nuk po proteston për veten, por se në qëndresën e saj, sipas tij, përfaqësohet kujtesa e mijëra njerëzve të prekur nga lufta.
“Ferdonije Qerkezi nuk po proteston për veten. Në këmbët e saj qëndron një histori e tërë. Në heshtjen e saj janë mijëra zëra. Në qëndresën e saj është Kosova që nuk pranon të harrojë”, ka shkruar Rama.
“Historia e Ferdonije Qerkezit është ndërgjegjja jonë kolektive!”, ka përfunduar ai. /Insajderi.org/