AKK i dorëzon Qeverisë shtatë kërkesat

Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka dorëzuar Qeverisë kërkesat e komunave.

1. E para: Kërkojmë që qeveria t’i kompensojë obligimet financiare që burojnë nga kontrata kolektive dhe që po u merren komunave përmes ekzekutimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore. Komunat nuk mund të paguajnë për obligime që nuk i kanë krijuar vetë.

2. E dytë: Kërkojmë që kompensimi retroaktiv për normën e përvojës së punës prej 0.5% nga marrëveshja e vitit 2023, si dhe për vitet 2024 dhe 2025, të mbulohen nga buxheti qendror dhe jo nga buxhetet e komunave. Është e drejtë dhe e domosdoshme që edhe obligimet për vitet paraprake, të krijuara si pasojë e mospërshtatjes me kohë të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, të mbulohen nga niveli qendror.

3. E treta: Kërkojmë rishikimin e kritereve të grantit specifik për arsim. Mbi 3,100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim, duke i krijuar komunave një borxh shtesë vetëm për këtë vit prej mbi 24 milionë eurosh.

4. E katërta: Kërkojmë ndërprerjen e centralizimit dhe cënimit të kompetencave komunale, përfshirë pronën komunale, procedurat e rekrutimit dhe kompetencat e tjera vetanake.

5. E pesta: Kërkojmë përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian dhe për zvogëlimin e mjeteve të grantit të performancës komunale.

6. E gjashta: Kërkojmë kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore që nga viti 2022.

7. E shtata: Kërkojmë krijimin e grantit të katërt për investime kapitale me me kritere të qarta, ligjore dhe transparente.

Këto kërkesa janë të qarta, të argumentuara dhe të realizueshme. Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon nga qeveria që t’i trajtojë me seriozitet dhe të hapë dialogun për zbatimin e tyre. Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë bashkëpunim institucional. Nuk kemi heshtur deri më sot dhe nuk do të heshtim as në të ardhmen. Do të vazhdojmë t’i mbrojmë komunat me argumente, me ligj dhe me të gjitha mjetet demokratike institucionale.

Leave a Comment