Një ndryshim i rëndësishëm ka ndodhur në ekranet kosovare, pasi Adelina Hasani ka konfirmuar se nuk do të jetë më pjesë e emisionit “SOL”, duke përfunduar kështu një kapitull të rëndësishëm që zgjati më shumë se dy vite.
Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit e saj në Instagram, moderatorja u pyet nëse do të vazhdonte me formatin e njohur, dhe përgjigjja e saj ishte e qartë dhe e prerë.
“Jo, në sezonin e ri nuk do jem pjesë e SOL-it”, ka deklaruar Hasani, duke lënë të kuptohet se ky vendim erdhi pas një periudhe reflektimi.
Ajo e përshkruan “SOL” si një projekt që ka pasur një rëndësi të veçantë për të, duke theksuar lidhjen emocionale dhe përkushtimin që ka investuar në këtë format televiziv.
“Kam krijuar me shumë dashuri e përkushtim dhe jam jashtëzakonisht krenare që arrita të hy në familjet shqiptare dhe të thyj rekorde shikueshmërie”, ka thënë ajo, duke shprehur mirënjohjen për suksesin e arritur.
Hasani ka sqaruar se vendimi për t’u larguar nga “SOL” është marrë për arsye personale dhe profesionale, por nuk ka zbuluar detaje të tjera për projektet e saj të ardhshme. Ajo ka falënderuar publikun dhe ekipin që e ka mbështetur gjatë kësaj periudhe.

Rrugëtimi i Adelinës në Klan Kosova filloi në shkurt të vitit 2024, kur “SOL” debutoi si një nga projektet më ambicioze të fundjavës. Formati përfshinte mbi gjashtë orë transmetim dhe shtatë rubrika të ndryshme, me Hasanin si prezantuese dhe autore.
