Qentë endacakë vazhdojnë të jenë një shqetësim për qytetarët edhe në hapësirat përreth Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa për të parandaluar praninë e tyre, së shpejti do të vendosen pajisje elektronike ultrasonike për largimin e kafshëve të padëshiruara.
QKUK ka lidhur kontratë për furnizimin dhe instalimin e këtyre pajisjeve, me qëllim të largimit të kafshëve të padëshiruara nga hapësirat e saj, shkruan IndeksOnline.
Kontrata është nënshkruar më 27 gusht 2026 me kompaninë “PRO BUILDING” SH.P.K., ndërsa vlera e saj është 3,465 euro. Pajisjet do të furnizohen dhe instalohen në QKUK, me kohëzgjatje të kontratës prej gjashtë muajsh.
Vendimi vjen në kohën kur prania e qenve endacakë në hapësirat publike mbetet problem shqetësues për qytetarët, veçanërisht për ata që frekuentojnë QKUK-në.
Sipas dokumentit të prokurimit, për këtë aktivitet ishte pranuar një tender, i cili ishte vlerësuar si i përgjegjshëm, ndërsa kriteri i përzgjedhjes ishte çmimi më i ulët.
Vlera e parashikuar e kontratës ishte 3,500 euro, ndërsa financimi bëhet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.