Një konflikt mes katër personave ka ndodhur mbrëmjen e sotme në lagjen 8 të qytetit të Korçës, në zonën e njohur si Radaneci.
Mësohet se në konflikt janë përfshirë dy vëllezër dhe dy fqinjë të tjerë. Sherri dyshohet se ka nisur për motive të dobëta, ndërsa shkak është bërë zhurma e fëmijëve që luanin në lagje.
Situata ka agravuar dhe gjatë përleshjes dy vëllezërit kanë mbetur të lënduar lehtë në kokë. Ata janë transportuar në spital, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Pritet që grupi hetimor të përcaktojë nëse gjatë konfliktit janë përdorur sende të forta, ndërsa paraprakisht dyshohet për përdorimin e mjeteve të tilla si shkopinj druri.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore, dy vëllezërit dhe dy personat e tjerë të përfshirë në konflikt janë shoqëruar në komisariat, ku pritet të japin deklarimet e tyre.