“VV mban gjithëfarë bërllogu, po e frymëzojnë këtë gjuhë seksiste” – Kuçi reagon ashpër ndaj gjuhës që deputeti Geci përdori ndaj Çitakut

Asamblistja e Partisë Socialdemokrate në Deçan, Natyra Kuçi, ka reaguar ashpër ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, pas sulmeve të tij me prapavijë seksiste drejtuar deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku.

Gjatë seancës së mbajtur të martën, deputeti Geci u dëgjua t’i drejtohej Çitakut me fjalët: “I ke bo 100 vjet hala pa martu, gru e keqe”.

Ky koment ka nxitur reagime të shumta, duke u cilësuar si një sulm i ulët që cenon integritetin e gruas në politikë.

Në reagimin e saj, Kuçi ka interpretuar mendësinë e deputetit Geci, duke thënë se për të, roli i gruas është i kufizuar vetëm brenda mureve të shtëpisë.

Për Fatos Gecin gruaja duhet me nejte n’shpi, me riprodhu e fshi. Nga urrejtja ndaj UÇK-së paska kalu në sulme të ulta seksiste”, është shprehur asamblistja e PSD-së.

Kuçi nuk është mjaftuar vetëm me kritikat ndaj Gecit, por ka hedhur akuza edhe ndaj partisë në pushtet për rritjen e kësaj fryme të diskursit publik.

 

 

Duke shpërndarë lajmin e publikuar nga Insajderi, ajo u shpreh se LVV-ja tashmë ka mbledhur brenda vetes “gjithëfarë bërllogu”.

“Kjo gjuhë bëhet shumëfish ma problem kur cytet e frymëzohet nga partia në pushtet”, ka shkruar Kuçi, duke vënë theksin te përgjegjësia politike e subjektit që udhëheq me vendin./Insajderi

 

Leave a Comment